Lindja ‘’pa dhimbje’’ Përfitimet dhe Rreziqet

Anestezia spinale është një procedurë e kryerjes së anestezisë për të përftuar një analgjezi (mungesë e plotë e dhimbjes) të një pjese të lokalizuar të trupit.

Anestezia spinale është një procedurë e kryerjes së anestezisë për të përftuar një analgjezi (mungesë e plotë e dhimbjes) të një pjese të lokalizuar të trupit. Ajo çfarë e dallon nga anestezia e përgjithshme është fakti se pacienti gjatë kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale qëndron zgjuar, ka vetëdije të ruajtur dhe realizon një frymëmarrje vetjake dhe jo të drejtuar nga aparaturat mjekësore.

Anestezia spinale filloi të zhvillohej në fundin e shek. XIX dhe u aplikua për herë të parë në vitin 1899 nga dy mjekë gjermanë, Bier dhe Hildebrandt, të cilët injektuan kokainë në lëngun cerebrospinal në shtyllat kurrizore të njëri tjetrit. Gjatë kryerjes së këtij eksperimenti ata përjetuan humbje të ndjeshmërisë dhe një sërë efektesh anësore. Më i rëndësishmi ishte ai i dhimbjes së fortë të kokës, i cili mbetet edhe në ditët e sotme, efekti anësor më i padëshiruar i kësaj procedure. Që prej asaj kohe, aplikimi i anestezisë spinale është rritur ndjeshëm. Kjo është e vërtetë veçanërisht në fushën e operacioneve obstetrikale.

Pse preferohet anestezia spinale gjatë lindjes?
Të shumta janë arsyet pse preferohet anestezia spinale kundrejt asaj të përgjithshme në ndërhyrjet çezariane gjatë aktit të lindjes. Në anestezinë e përgjithshme mjeku anestezist i mundëson nënës gjendjen pa dhimbje dhe pa koshiencë nëpërmjet injektimit në gjakun e saj te disa barnave të caktuara. Meqënëse foshnja ushqehet me gjakun e nënës, kjo shpie drejt ekspozimit të saj ndaj këtyre barnave, gjë që mbart efektet e veta të padëshiruara. Nga ana tjetër gjatë procedurës së anestezisë spinale, bari i cili do të mundësojë humbjen e lokalizuar të ndjeshmërisë, injektohet në shtyllën kurrizore të nënës. Në këtë mënyrë bari nuk qarkullon në gjak, prandaj edhe fëmija nuk ekspozohet ndaj tij. Kjo është edhe arsyeja pse foshnjat e lindura nëpërmjet kësaj lloj anestezie janë më aktive në lindje dhe më pak të përgjumura. Përveç kësaj, anestezia spinale ka edhe një avantazh tjetër madhor, i cili lidhet me qëndrimin zgjuar të nënës si dhe me zotërimin e një frymëmarrjeje vetjake. Kjo shmang fenomenin e kalimit të përmbajtjes së stomakut në rrugët e frymëmarrjes, gjë që mund të çojë drejt zhvillimit të pneumonisë.
Shumë nëna e mirëpresin të qenurit zgjuar gjatë momentit të lindjes dhe mundësinë e ushqyerjes së foshnjës së porsalindur menjëherë pasi operacioni të ketë përfunduar. Megjithatë, pavarsisht arritjeve, janë të pranishme edhe disa disavantazhe. Së pari, mitra e mbarsur e detyron shtyllën kurrizore të marrë një harkim më të theksuar, gjë që e vështirëson realizimin e kësaj procedure. Së dyti, nëse lindja ka nisur dhe mitra ka filluar të tkurret, nëna e ka të vështirë të qëndrojë e qetë dhe palëvizur, e domosdoshme kjo për të kryer injektimin në zonën e përcaktuar. Për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur dhimbjen e madhe të kokës, duhen përdorur age sa më të holla.
Në dallim nga anestezia e përgjithshme, në atë spinale, mitra e ruan aftësinë e saj për tu tkurrur normalisht gjatë aktit të lindjes edhe pse nëna nuk i ndjen këto tkurrje.
Si kryhet një anestezi spinale?
Gjatë kryerjes së anestezisë spinale, pacientja duhet të qëndrojë në pozicionin ulur ose shtrirë në brinjë. Ajo duhet të përkulet përpara në mënyrë që të zgjerohet hapësira midis rruazave të shtyllës kurrizore. Hapësira e zgjedhur për futjen e ages ndodhet midis rruzave kurrizore të zonës së belit. Pasi kemi depërtuar në kanalin nervor të kolonës, injektojmë medikamentin anestetik. Nervat në brendësi të shtyllës kurrizore janë pjesë e sistemit nervor qendror. Ky i fundit prodhon një lëng i cili qarkullon në brendësi të këtij sistemi. Ky lëng në gjuhën mjekësore quhet lëngu cerebrospinal. Qëllimi i anestezisë spinale arrihet kur bari anestetik tretet në brendësi të këtij lëngu. Kjo mundëson humbjen e ndjeshmërisë.
Si përfundim mund të shprehemi me bindje se anestezia spinale është në tërësi një procedurë më e thjeshtë, më e mirë, më e favorshme dhe më pak e rrezikshme se anestezia e përgjithshme. Për këto arsye ajo e justifikon plotësisht përdorimin gjithnjë e më në rritje në fushën e obstetrikës.

Ngjashme:

Speak Your Mind

*

Google Analytics Alternative