Menopauza dhe Ndryshimet që Sjell

Menopauza është pjesë universale dhe e parikthyeshme e procesit të plakjes që përfshin sistemin riprodhues femëror, pas të cilit gruaja nuk do të ketë më menstruacione. Faktorët që ulin moshën fiziologjike të menopauzës janë të pakët dhe përfshijnë: duhanin, histerektomia (heqja e mitrës me vezore), etj. Ndryshimet hormonale mund të mos jenë përgjegjëse për hemorragjitë e çrregullta të kësaj periudhe, ndaj duhen përjashtuar me kujdes patologjitë më të shpeshta të kësaj periudhe si: fibroidet , polipet e mitrës, hiperplazia e mukozës uterine apo kancerit të mitrës. Gjatë kësaj periudhe ka një rënie të vlerave të testosteronit, duke bërë që gratë të jenë më të ekspozuara ndaj veprimit të estrogjenit të pakundërpeshuar me progresteron për një periudhë kohë të gjatë, çka çon në hiperplazi të endometrit që është paraprirës i kancerit të mitrës.

Si shfaqet menopauza?
Si rezultat i ndryshimeve fiziologjike nën ndikimin e ndryshimeve të niveleve hormonale, gratë do të përjetojnë një numër të madh simptomash të përmbledhura nën termin sindromë klimaterik. Këto simptoma përfshijnë: vale nxehtësie, pagjumësi, shtim në peshë, fryrje, ndryshime të humorit, menstruacione të çrregullta, dhimbje të gjirit, dhimbje koke. Simptomat klimaterike shkaktohen si rezultat i funksionit të çrregullt të vezoreve dhe luhatjeve të mëdha të nivelit të estrogjenit (dhe jo deficitit të tij), prandaj ndalimi i luhatjes hormonale nëpërmjet pilulave dhe zëvendësimit hormonal do të çojë në lehtësimin e këtyre simptomave.

Çfarë pasojash sjellin në organizëm këto ndryshime?
Për shumicën e grave të moshuara ka një rënie të tonusit pelvik çka do të manifestohet me prolapsin apo rrëshqitjen e organeve riprodhuese ose urinare. Këto shoqërohen më rëndim vaginal, dhimbje të fundit të shpinës, etj. Shkaku i këtyre simptomave janë cistocela (rënia e fshikëzës urinare) rektocela( rënia e pjesës së fundit të zorrës së trashë ) dhe prolapsi uterin( i mitrës). Cistiti atofik, mund të shfaq shenjat e infeksionit të aparatit urinar, me urinim të shpeshtë, me urgjencë dhe mosmbajtje të saj. Gjatë kësaj periudhe grate janë shumë të ndjeshme ndaj infeksioneve urinare, çka kërkon bërjen e analizave të urinës në të gjitha gratë me ankesa urinare. Të tjera ndryshime në këtë periudhë janë humbja e elasticiteti të lëkurës, rënia e densitetit mineral të kockave, etj. Arsyeja më e shpeshtë pse gruaja paraqitet tek mjeku është prania valëve të nxehtësisë, këto valë janë të paparashikueshme në shpërthim, mund të përjetohen për disa vite, dhe janë të pranishme në 75 % të grave në periudhën e para dhe pas menopauzës. Valët e nxehtësisë e bezdisin gruan dhe shoqërohen me çrregullime të gjumit, destabilitet emocional, sidomos nëse janë të shpeshta dhe të forta. Këto episode vazomotore zgjatin pak minuta dhe janë me frekuenca që variojnë nga shfaqja e tyre çdo orë deri në 2-3 herë në ditë. Valët e nxehtësisë përshkruhen si një ndjenjë ngrohtësie apo nxehtësie që nisin nga pjesa kërthizës dhe zhvendosen për lart drejt kokës, të shoqëruar nga djersitje të kokës dhe trupit. Po ashtu të shpeshta janë dhe palpitacionet, dhimbjet e kokës, marrje mendsh.

Një nga patologjitë që lidhet me menopauzën është osteoporoza. Pse ndodh ky fenomen?
Osteoporoza është pasoja e drejtpërdrejtë e menopauzës. Me shpërthimin e menopauzës, densiteti kockor ulet shumë për shkak se absorbimi kockor është i përshpejtuar ndërkohë që formimi kockor mbetet në raportet e periudhës para menopauzës. Humbja kockore në vitet e para përbën rreth 20% të humbjes totale kockore. Efekti përfundimtar i menopauzës në humbjen kockore është ulja e fortësisë kockore çka çon në rritje të rrezikut për fraktura. Sa më herët të pushojnë se funksionuari vezoret aq më e madhe do të jetë humbja kockore dhe sa më e ulët të jetë masa kockore e gruas kur hyn në menopauzë aq më e rëndë do të jetë osteoporoza. Në zhvillimin e osteoporozës ndikon shumë raca (më e rëndë është në gratë e bardha), konsumimi i duhanit etj.

Çfarë pasojash sjell në sistemin kardiovaskular të gruas, menopauza?
Menopauza rrit riskun e grave për sëmundje koronare, pavarësisht nga mosha e gruas dhe kjo nëpërmjet veprimit të estrogjenit mbi metabolizmin e yndyrnave duke ulur vlerat e LDL (kolesterolit) dhe rritur HDL. Përdorimi i zëvendësuesve hormonalë sjell një ulje rreth 11% të sëmundjeve kardiovaskulare. Efekti më i mire i estrogjenit duket mbi funksionin endotelial; progresi i arterosklerozës në gratë postmenopauzës është më i ngadaltë .

Po në sistemin nervor, si ndikon menopauza?
Plakja si proces prek dhe disa aftësi njohëse dhe mungesa e estrogjenit mendohet se kontribuon në këtë proces duke ngadalësuar rënien e memories. Perimenopauza është koha e shfaqjes së simptomave depresive të lidhura direkt me efektet hormonale nëpërmjet luhatjes në vlerat e tyre si dhe nëpërmjet efekteve të estrogjenit në çrregullimet e gjumit dhe simptomave vazomotore. Ka mendime se terapia hormonale që përdoret gjatë menopauzës, ndikon në shfaqjen e kancerit të gjirit. Është menduar që terapia hormonale shoqërohet me rritje të riskut për kancer të gjirit në vlerat 1.1 deri 1.3. Ky risk shkon paralel me kohëzgjatjen e përdorimit. Lidhja e estrogjenit me kancerin mendohet për faktin që risku i kancerit të gjirit rritet në gratë me menarkë (cikël) të hershëm dhe menopauzë të vonët, ndërsa lindjet në moshë të re dhe ndërprerja e ndryshimeve hormonale sjellin një ulje të riskut. Është fakt që gratë që kanë përdorur terapi zëvendësuese hormonale estro-progesteronike, kanë patur incidencë për shfaqje të masave tumorale të mire lokalizuara, me përmasa më të vogla, paprekje të gjëndrave limfatike dhe me përqindje mbijetese më të lartë .

Terapia hormonale
Kur duhet të fillohet? Efektet anësore të saj
Koha për fillimin e terapisë varet nga gjendja shëndetësore e gruas. Pavarësisht nëse gruaja është afër ose pas fazës së menopauzës duhet të përshkruhet terapia më e përshtatshme për të, pasi të jetë këshilluar me mjekun gjinekolog dhe t’i jenë shpjeguar të gjitha mundësitë. Ndër faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e terapisë janë: gjendja shëndetësore personale dhe familjare, pirja e duhanit, etj.

Efekte të mundshme të terapisë hormonale zëvendësuese mund të jenë: fryrje, dhimbje të gjirit, hemorragji vaginale, dhimbje koke. Terapia mund të merret me tableta nga goja , transdermale (lëkurë) ose lokalisht në formë kremrash, unaza ose tableta. Nuk duhen të merren në rast hemorragjie që nuk i gjendet shkaku, sëmundje të mëlçisë, shtatzani, trombozë venoze etj. Produkte alternative me origjinë bimore dhe suplemente dietetike që përmbajnë përbërës fitoestrogjenik mund të jepen në periudhën e kalimit nga periudha e menopauzës në atë të postmenopauzës.

Ngjashme:

Speak Your Mind

*

Google Analytics Alternative